Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e konsideroi rrëmbimin e tre efektivëve të Kosovës nga forcat serbe në Veri një akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Krasniqi rrëmbimi është shkelje e qartë e sovranitetit territorial të Kosovës dhe se dje me cenimin e sigurisë në Veri, duket qartë se Serbia nuk kërkon marrëveshje me Kosovën.
“Përmes veprimeve të saj tinzare, Serbia kreu një akt agresor ndaj Kosovës, rrëmbimi është shkelje e qartë e sovranitetit territorial të Kosovës.
Ky është një provokim dhe qëndrim i qartë se Serbia nuk dëshiron paqe në Kosovë, përmes këtij veprimi Serbia e Vuciçit është e njëjtë me atë të Millosheviçit. Ai mund të dëshirojë trazira e konflikt, duket qartë që nuk dëshiron as marrëveshje me Kosovën.
Por përballë këtyre fakteve shteti ynë duhet të jetë i qartë në qëndrimet, ruajtjen e sovranitetit tonë. Në këtë drejtim na duhet edhe mbështetja e aleatëve dhe duhet ti ftojmë ta dënojnë këtë akt, po edhe ti ftojmë KFOR të shtojnë vigjilencën e tyre”- tha Krasniqi.
Sipas demokratit, është e rëndësishme të dihet mbi gjendjen shëndetësore të 3 efektivëve të rrëmbyer. Krasniqi i bëri thirrje qeverisë Kurti t’i kërkoi Serbisë informacion mbi kushtet në të cilat mbahen efektivët e Policisë së Kosovës.
Duke fajësuar qeverinë e Kosovës për mungesën e ndihmës së partnerëve ndërkombëtar, Krasniqi, i keqardhur, shprehet se kjo ndodh kur qeveriset me arrogancë.
“Përtej kësaj, më e rëndësishmja është jeta e tre zyrtarëve policorë, ku duket se as ju se dini ku janë, si janë.
Duhet të kërkojmë informacione nga Serbia se ku janë dhe kushtet në të cilat mbahen. Të keni fokusin e plotë në kthimin e tyre të menjëhershëm, përgjegjësia është e juaja kryeministër. Sot të kemi ftuar të na informoni më konkretisht se cfarë po bëni për rikthimin e policëve në shtëpi. Na duhet të dimë se cilat janë veprimet konkrete, a është siguruar mbrojtje për ta? A është kërkuar ndihma e partnerëve ndërkombëtar që të ndërmjetësojnë?
Është për keqardhje që skemi mbështetje nga ata, e keni pa se ska asnjë deklaratë në lidhje as me dënimin e aktit e as për të konfirmuar faktin e rrëmbimit të policëve brenda territorit. Kjo ndodhë kur qeveriset me arrogancë. Keni pasur shumë paralajmërime për zbehje të bashkëpunimit, me disa prej tyre jeni talluar duke bërë që aleatët të distancohen e duke pasur edhe sanksione.
A e keni mbështetjen e ndërkombëtarëve?
Çka nëse ndodhë diçka më e madhe dhe na duhet ndihma. Ju e keni mbështetjen e plotë për kthimin e policëve në shtëpi. Ka pohime inkurajuese që lirimi do të ndodhë. Më vonë do t’i analizojmë nëse veprimet tuaja kanë kontribuar të ketë një spirale kur kemi hyrë në rrethanë të këqija të politik bërjes”- tha Krasniqi.
Top Channel