Si Serbia, ashtu edhe Kosova, kanë një mundësi unikale për të zgjidhur dallimet historike që kanë patur.

Dy vendet mund të jetojnë në paqe krah për krah, duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të tyre, përfshirë pakicat kombëtare që ndodhen në vendin tjetër. Por, ata duhet të ndalin provokimet dhe shkaktimin e sfidave që e bëjnë më të vështirë për ne arritjen e këtij objektivi.

Senatori Ben Cardin, drejtues i senatorëve demokratë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara përcolli për VOA-n vërejtje për të dyja palët: si fillim, foli për ngërçin në pjesën veriore të Kosovës, duke theksuar se është  shumë e qartë që qeveria duhet t’i parandalojë këto lloje veprimesh provokative.

Zgjedhjet e fundit treguan një mospërfillje për serbët që gjenden në Kosovë dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë Kosova, u shpreh ai. Por nga ana tjetër senatori nuk kurseu as Beogradin.

“E kemi parë kaq shumë herë në Serbi; udhëheqësit e tyre e bëjnë shumë të vështirë njohjen e legjitimitetit të Kosovës, duke sfiduar pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërkombëtare. Kemi parë veprime agresive të ndërmarra nga Serbia kundër pavarësisë së Kosovës. Të dyja palët duhet ta ndalin këtë lloj sjelljeje dhe të krijojnë një klimë në të mirë të njohjes së plotë nga të dyja vendet të pavarësisë dhe sovranitetit të fqinjëve të tyre. Dhe kur të realizohet, kjo duhet të ndodhë paralelisht me mbrojtjen e pakicave kombëtare që janë në atë vend, u shpreh ai.

Cardin shtoi se a një kufi për durimin e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara.

“Ne e mbështesim shumë Kosovën dhe sovranitetin e saj dhe jemi treguar shumë agresivë duke vënë në dukje gjërat që duhet të bëjë Serbia. Por, jemi po njësoj të shqetësuar për veprimet e ndërmarra në Kosovë që e bënë më të vështirë për ne të kemi klimën e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pra mendoj se do të jemi shumë të qartë për pritshmëritë tona dhe se nëse të dyja vendet duan të kenë një marrëdhënie më të harmonizuar me Evropën, atëherë duhet të ndërmarrin hapat për ta treguar këtë”, ishte komenti i tij.

Top Channel