I acaruar me mospërmbushjen e kërkesave të tij nga ana e Prishtinës lidhur me shtensionimin e situatës në veri, Bashkimi Europian vendosi të hedhë hapin e paprecedent të marrjes së disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Por edhe pse këto sanksione rrezikojnë projekte milionëshe sipas disave, ato nuk pritet të ndikojnë në procesin e integrimit europian të vendit.

“Efektet e këtyre masave janë proporcionale; ato përçojnë mesazhin e rëndësishëm të pakënaqësisë nga ana e BE-së, por nuk shkaktojnë një dëm thelbësor në rrugën tonë europiane”, pohon për REL Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Europiane.

Masat e BE-së përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të nivelit të lartë, si dhe të vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Po ashtu janë paralajmëruar pasoja financiare, siç është pezullimi i financimit të disa projekteve të propozuara nga Kosova në kuadër të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor.

“Unë shpresoj që këto projekte, jashtëzakonisht të rëndësishme, të mos anulohen por pezullimi i tyre të arrijë efektin e nevojshëm të dakordësimit të qëndrimeve mes Kosovës dhe BE-së”, vazhdon ai.

Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009.

Në një dokument të tij thuhet se në Kosovë janë mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh deri në shtator të vitit 2021. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

Në kuadër të këtij mekanizmi për vitet 2023-2030 në Kosovë janë parashikuar edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën apo impianti për trajtimin e ujërave të zeza për kryeqytetin.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar në muajin mars se Kosova, vitin e kaluar, ka përfituar nga ky instrument grante investuese për energjinë diellore në vlerë prej 53 milionë eurosh, të cilat kombinohen me hua nga bankat zhvillimore dhe arrijnë vlerën e 180 milionë eurove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA