Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për dy ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, me kuqezinjtë që kanë zhvilluar një seancë stërvitore paraditen e të enjtes.
Stafi teknik i drejtuar nga trajneri Silvinjo së bashku me futbollistët kanë mbërritur që në mëngjes në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, me grupin që si zakonisht ka punuar si fillim në palestër.
Më pas skuadra ka dalë në fushë, ndërsa stërvitja ka qenë me ngarkesa të vogla fizike dhe më shumë e fokusuar te loja me top.
I gjithë grupi është stërvitur normalisht dhe pa probleme fizike, teksa edhe mbrojtësi Frederik Veseli ka punuar rregullisht duke lënë pas shqetësimet fizike të një dite më pare, ndërkohë që pasditen e sotme pritet mbrojtësi i Atalantës Berat Gjimshiti i cili i ka munguar grumbullimit për rreth 3 ditë duke qenë se është bërë baba për herë të dytë ditën e djeshme.
Kombëtarja do të zhvillojë edhe një tjetër seancë stërvitore pasditen e e sotme sërish në fushën e Shtëpisë së Futbollit me grupin që ka intensifikuar përgatitjet për ndeshjen e parë të së shtunës në shtëpi, ku përballë do të jetë Moldavia.
Më datë 20 qershor kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Ishujve Faroe, ndërkohë që këto dy sfida janë shumë të rëndësishme për objektivat e Shqipërisë në këto kualifikuese për Gjermani 2024.
Të gjithë ata që s’do të kenë mundësi të sigurojnë bileta do të mund t’a ndjekin këtë ndeshje drejtprëdrejtë në Digitalb.
Top Channel