Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça ka deklaruar se tre policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga forcat speciale serbe.
Në deklaratën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Svelça tha se ngjarja ka ndodhur rreth 1 km brenda territorit si hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune.
“Javët e fundit RKS është përballur me tentativa për destabilizim. Ku ka ndodhur ngjarja është rreth një 1 km brenda territorit, rruga ishte me gropë, është e pamundur të kalohet në Serbi. Në këtë lokacion me prapavijë të territorit të Kosovës, pa pasur edhe drunj me qëllim të bllokimit të arritjes së asistencës.
Është hakmarrje pas arrestimit të kriminelit Llune. Për ne, është e papranueshme dhe incident shumë i rëndë. Bëjmë thirrje për lirimin e zyrtarëve tanë dhe kthimin në Kosovë, në polici e pranë familjeve të tyre. Ritheksoj se nuk ndalemi e zmbrapsemi në kërkim të drejtësisë, rendit e ligjit. Qytetarët tanë nuk do të shtypen e shkelen por do të mbrohen, Serbia duhet të mbahet përgjegjëse”-tha ministri Svelça.
Top Channel