Kroacia prek finalen e Nations League me kombëtaren ballkanase mposhti në kohën shtesë me shifrat 2-4, Holandën.
Edhe pse luanin në shtëpi, holandezët nuk mundën të festonin përballë publikut të tyre me kroatët që në fushë shfaqën një dëshirë më të madhe për triumf.
Sa i përket kronikës së ndeshjes, ishin “Tulipanët” që kaluan të parët në avantazh me anë të Maalen në minutën e 34-të.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ronald Kuman e mbylli në avantazh fraksionin e parë, ndërsa në të dytën, skenarët ndryshuan. Kroatët dolën nga dhomat e zhveshjes me një marsh më shumë, teksa ballkanasit fillimisht barazuan në minutën e 54-të me anë të Kramaric që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Kur pritej një reagim i Holandës, miqtë shënuan sërish duke marrë avantazhin në të 72-tën me anë të Pasalic që në brendësi të zonës nuk gaboi. Në minutat e mbetura, Holanda u hodh e gjitha në sulm për të gjetur golin e barazimit dhe në fakt ia doli kur shënoi në minutën e 97-të me anë të Lang.
Në këtë formë, sfida shkoi në shtesë, aty ku në minutën e 100-të, Kroacia u rikthye sërish në avantazh. Ai që shënoi ishte Petkovic me një goditje preçize nga distanca. Në minutën e 116-të, Malacia gaboi dhe shkaktoi një penallti pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Petkovic.
Nga pika e bardhë, Luka Modric nuk gaboi dhe shënoi golin e katërt dhe atë që mbylli përfundimisht ndeshjen me rezultatin 2-4. Tashmë, në finalen e së dielës mbrëma, ballkanasit presin fituesin e çiftit Spanjë-Itali.
Holandë-Kroaci 2-4. /Supersport
Top Channel