Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se Kosova ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë për shkak të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme ku u rrëmbyen tre policë nga forcat speciale serbe.

Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Albin Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat speciale serbe. Kurti u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë teksa kritikoi KFOR-in për mos-reagimin zyrtar për atë çka ndodhi dje në veri.

“Sapo e përfunduam mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për shkak të agresionit të Serbisë që rrëmbeu tre zyrtarë të policisë brenda territorit të vendit tonë. Institucionet dhanë vlerësimin e tyre dhe propozime. Agresion ndaj shtetit tonë, hakmarrje ndaj policisë për arrestimet. Për këto arsye e kanë rritur nivelin e sigurisë. Si hapë janë shtrënguar masat e sigurisë në kufi me Serbinë. Rritje e kontrolleve kufitare, këtu përfshihen edhe ndalesat e qarkullimit. Synimi është siguria e siguria fillon të kufijtë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policor. Kërkojmë nga faktorët ndërkombëtar të bëj presion ndaj Serbisë, ajo çka bën përshtypje është heshtja e ndërkombëtarëve“-tha Albin Kurti.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça theksoi se tre policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga forcat speciale serbe. Ai tha se se ngjarja ka ndodhur rreth 1 km brenda territorit si hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune.

Javët e fundit RKS është përballur me tentativa për destabilizim. Ku ka ndodhur ngjarja është rreth një 1 km brenda territorit, rruga ishte me gropë, është e pamundur të kalohet në Serbi. Në këtë lokacion me prapavijë të territorit të Kosovës, pa pasur edhe drunj me qëllim të bllokimit të arritjes së asistencës. Është hakmarrje pas arrestimit të kriminelit Llune. Për ne, është e papranueshme dhe incident shumë i rëndë. Bëjmë thirrje për lirimin e zyrtarëve tanë dhe kthimin në Kosovë, në polici e pranë familjeve të tyre. Ritheksoj se nuk ndalemi e zmbrapsemi në kërkim të drejtësisë, rendit e ligjit. Qytetarët tanë nuk do të shtypen e shkelen por do të mbrohen, Serbia duhet të mbahet përgjegjëse”-tha ministri Svelça.

Teksa nxori hartën nga vendngjarja, Kurti tha se janë gjetur prova në vendin ku u rrëmbyen policët, që sipas tij dëshmon qartë se ngjarja ishte brenda kufijve. Kurti tha se është në pritje të reagimit zyrtar të KFOR-it.

Ajo që më habit është se pse nuk del KFOR-i me sqarim që ishte në vend te ngjarjes. Ky vend qartazi është në Republikës së Kosovës. Edhe automjeti edhe ushqimi që kanë ngrënë policët është thellë në territorin e Kosovës. Bëhet fjalë për dy formacione të armatosura, njësia speciale antiterroriste e Serbisë dhe njësia speciale ushtarake me të cilat duhet të merret KFOR-i. Janë gjetur gjurmë, pranga të plastikës, çizme të huaja që shkojnë në drejtim të Serbisë”-tha Albin Kurti në konferencë.

Teksa u pyet nëse do të pranonte një shkëmbim të mundshëm mes tre policëve me kriminelin Llune, Kurti u përgjigj ashpër duke theksuar se rastet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën pasi Llune ka një dosje të gjerë të krimeve të kryera në Kosovë, ndërsa policët janë rrëmbyer brutalisht brenda territorit të tyre.

Tre policët që janë rrëmbyer nga njësia speciale e Serbisë kanë qenë aty në një rrugë që dikur ishte ilegale. Përballë tyre kanë pasur njësitë serbe, në anën tjetër ne e kemi një kriminel serb si Llune që nuk është bërë kriminel me 26 maj por ka dosje të trashë të shkeljeve ligjore të kryera në Kosovë. Në Kosovë ka sundim ligji, arrestimi i Llunes i ka hedhur në panik kriminelet. Ata nuk e kanë besuar se kjo do të ndodhte ndonjëherë. Nuk krahason këto dy raste, nuk bëjmë pazare ne kemi sundim ligji. Nuk dimë që Beogradi ka kërkuar shkëmbim, mos e përfaqësoni Beogradin, nuk keni nevojë të paraqisni një kërkesë të tyre karshi Kosovës. Për çfarë shkëmbimi po flisni, Kosova është vendi me lirinë më të madhe të mediave, por unë u kisha sugjeruar të mos flisni në emër të Beogradit se nuk i kontribuoni sigurisë në vendin tonë”-tha Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës është shprehur se ditën e djeshme ka komunikuar edhe me Hovenier dhe Escobar, të cilëve u ka thënë që KFOR-i të sjellë informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, por ende nuk ka asnjë informacion.

Mbrëmë kam pasur diskutime në telefon me Jeff Hovenier dhe Gabriel Escobar iu kam thënë që pres që KFOR-i të sjellë informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, por asnjë informacion. Ne sot kemi shkruar vetëm me informacionet e Policisë se Kosovë e që janë të vërteta. Serbia thotë që ka arrestuar policët por është përpjekje për ta deformuar kidnapimin. Është cenim i sovranitetit territorial.”- tha Kurti.

Ministri Sveçla tha nga ana tjetër se në lidhje me shëndetin e policëve po kujdeset Ministria e Jashtme, ndërsa është komunikuar edhe me familjarët e tyre të cilët po informohen në lidhje me çdo të re.

Kjo është një punë intensive e gjithanshme e shumë faktorëve të përfshirë dhe unë besoj se shumë shpejt do të sjellë rezultate. Kur një shtet si Serbia ka qëllime agresive, patjetër që në çdo moment ka mundësi me të lëndu. Fajin duhet ta kërkoni tek Serbia jo tek tre policët që po kryenin detyrën e tyre. Ne çdo ditë po fuqizohemi po ngrihemi, falë edhe bashkëpunimit me partnerët por nuk mund të themi qe ky rast është për shkak të Kosovës por për shkak të politikave agresive të Serbisë. Sa i takon qytetarëve që arrestohen duhen pyetur institucionet e Serbisë pse arrestojnë qytetarët tanë vetëm se janë shqiptarë. Është ministria e punëve të jashtme që po kujdeset për shëndetin e policëve ndërsa me familjarët është komunikuar menjëherë pasi u mor vesh situata dhe do të komunikojmë gjatë gjithë kohës për informacione të tjera.”-tha Svelça.

I pyetur për anulimin e mbledhjes Shqipëri-Kosovë ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama, Albin Kurti u përgjigj shkurt.

“Sa i përket mbledhjes së anuluar, e kam thënë në Syrivizion. Aty e gjeni përgjigjen“- u përgjigj shkurtimisht Albin Kurti.

Top Channel