Fshati Zëmblak në Maliq u përmbyt i gjithi pasi përrenjtë dolën nga shtrati dhe vërshuan në rrugë si pasojë e reshjeve të shiut.
Mjaftuan disa orë me shi të rrëmbyer që rrugët kryesore dhe dytësore të fshatit të mbulohen nga uji i cili hyri edhe brenda shtëpive.
Banorët tregojnë se mes panikut dolën jashtë dhe u përpoqën të shpëtojnë gjënë e gjallë, ndërsa thonë se mungesa e ndërhyrjeve në infrastrukturë ka bërë që ata të mbeten të ekspozuar përballë rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.
Pas sinjalizimit për situatën alarmante në fshat mbërritën grupet e punës, ndërsa u ndërhy me fadroma për të devijuar prurjet e përrenjve dhe për të normalizuar situatën.
Shqetësuese situata u bë edhe në varrezat e fshatit për shkak të depërtimit të ujit, duke rrezikuar daljen e tyre, ndërsa banorët u detyruan të ndërhyjnë vetë për të shmangur shkatërrimin e tyre.
Probleme pati edhe përgjatë segmentit nacional Korçë-Bilisht, i cili u mbulua nga uji dhe aluvionet duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Top Channel