Borrell e quan arrestim kapjen e policëve nga serbët: Javën që vjen do të ftoj në takim urgjent Kosovën dhe Serbinë

15/06/2023 17:47

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaroi se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”.

Sipas burimeve diplomatike të Radio Europa e Lirë, Borell pritet të kërkojë takim kokë më kokmë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Për sa i përket mbajtjes me forcë të tre policëve të Kosovës nga trupat serbe, ai e konsideroi arrestim këtë veprim. Ndryshe nga pretendimet për rrëmbim brenda territorit të Kosovës një ditë më parë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian ka shprehur të kundërtën.

“E di se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”.

Nga ana tjetër zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se ende presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për qetësimin e situatës, ndryshe do të sanksionojnë Kosovën nëse nuk vepron.

Njëkohësisht ai ka përsëritur se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese deri më tani, por masa që i përdorin për të treguar se BE është serioze në pritjen për plotësimin e kushteve.

“Këto masa nuk janë diçka që Bashkimi Evropian do ta merrte lehtë, por këto janë masat që janë reagimi i domosdoshëm i Bashkimit Evropian ndaj faktit se deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap vendimtar kuptimplotë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës”.

Stano bëri të ditur se BE po bën më të mirën për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si një rrugë e rëndësishme për anëtarësimin në bllokun e tyre.

Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre policë kufitarë janë marrë gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit.

Bëhet fjalë për Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafa Shemin. Ata kanë publikuar foto dhe video ku shihen tre policët të çarmatosur të shtrirë në tokë, ndërsa më pas i marrin me makinat e tyre.

Lexo edhe: Rrëmbehen tre policët e Kosovës/ Përgjigjet Prishtina, bllokon kamionët me mallra serbe

Top Channel