Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha sot në Kuvend se e paralajmërimet për sanksione të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës janë shqetësuese.
Në Kuvendin e Kosovës, Gashi ka pyetur kryeministrin Kurti se çfarë borxhi i ka Kosova që t’ia bëjë këtë dëm.
“Ajo çka kemi dëgjuar dhe pa ditëve të fundit është shqetësuese për neve. Paralajmërimet për masa shtrënguese për institucionet e Kosovës, ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës…Nëse janë të vërteta këto, atëherë ky është dëmi më i madh që i bëhet Kosovës dhe këtu lind pyetja se çfarë borxhi ka Kosova që me ia bërë këtë dëm”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të vendit, është agresion ndaj sovranitetit të Kosovës.
Megjithatë, ai shtoi se kërkesa e kryeministrit Kurti për përfshirjen më të madhe të KFOR-it për mbrojtjen e kufijve mund të prodhojë pasoja negative për vendin.
“A jeni të sigurt se po kërkoni angazhimin më të rëndësishëm të KFOR-it në kufijtë e Kosovës dhe pjesët veriore të Kosovës. A jeni të sigurt se cfarë pasoje prodhon kjo dhe a jeni të sigurt se me gjendjen që po krijohet në veri, mund të kemi kërkesë nga KFOR-i të largimit të gjitha struktur1ave të shtetit të Kosovës nga veri. Ky do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, ka shtuar ai.
Top Channel