Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën një muaj paraburgim Millun Millenkoviç – Llune, që u arrestua në Mitrovicë të Veriut më 13 qershor.
“Sot pasdite në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin e posaçëm, është mbajtur seanca për të vendosur lidhur me propozimin e prokurorit publik për caktimin e paraburgimit. Propozimi i prokurorit është miratuar dhe atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Nebojsha Vllajiç.
Mbrojtja ka 48 orë kohë për të apeluar këtë vendim. Avokati tha se Millenkoviç është dërguar në një burg në Podujevë.
Millenkoviç u arrestua të martën në Mitrovicën e Veriut gjatë një aksioni të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Vllajiç tha se Prokuroria e akuzon klientin e tij për tri vepra penale: terrorizëm, ndryshimi i rendit kushtetues përmes dhunës dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare.
Veprat kanë të bëjnë me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut në dhjetorin e kaluar dhe gjatë përleshjes mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj të këtij viti.
Pas arrestimit të tij, në Mitrovicë të Veriut u lëshuan sirenat, ndërkaq qytetarët u mblodhën afër shkollës teknike. Megjithatë, ata u shpërndan pas dy orësh.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, Millenkoviç ishte një prej organizatorëve të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook.
Rasti tjetër për të cilin dyshohet Millenkoviç ka ndodhur më 6 dhjetor 2022. Atëbotë, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra prej tyre shpërtheu.
Zyrtarët zgjedhorë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve komunalë në katër komunat në veri – që të gjithë nga partia më e madhe në Kosovë e serbëve, Lista Serbe – si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS- Republika e Kosovës.
Por, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, votimet u shtyn për 23 prill të vitit 2023.
Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, u arrestua më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës – që lidh Kosovën dhe Serbinë – arrestimi i të cilit rriti tensionet në veri të Kosovës, me serbët lokalë që ngritën barrikada.
Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pas ndryshimit të masës së sigurisë së Pantiçit nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Arrestimi i Millenkoviçit ndodhi në kohën kur në veri të Kosovës tensionet janë të rritura. Më 26 prill, serbët lokalë kundërshtuan hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.
Top Channel