Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell i është përgjigjur kreut të qeverisë së Kosovës Albin Kurti për propozimin me 5 pika për çtensionimin e situatës në katër komunat veriore me shumicë serbe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në to.

Përmes një letre zyrtare drejtuar Kurtit, Borrell rithekson se kushtet e kërkuara nga BE-ja dhe SHBA-ja lidhur me situatën në Veri janë të qarta, dhe se kryetarët e zgjedhur duhet të largohen nga komunat dhe të ushtrojnë detyrën e tyre në hapësira të tjera.

Një tjetër pikë që duhet të përmbushet, sipas pritshmërive të Bashkimit Evropian për shtensionimin e vërtetë të situatës, është organizimi i zgjedhjeve të tjera lokale në katër komunat veriore.

Megjithatë, Borrell bie dakord me Kurtin që “nuk mund të ketë mosndëshkim për dhunën e kryer më 29 maj” ndaj KFOR-it dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës “dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në përputhje me mandatin e tij”.

Zyrtari i lartë i BE-së ka bërë të ditur se s’ka dialog për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pa çtensionimin e situatës në Veri. Sipas Borrell, vetëm nëse kjo ndodhë do të organizohet një takim i nivelit të lartë në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Siç e dini shumë mirë, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe Presidentin Vuçiç me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për çtensionimin fillimisht të situatës dhe më pas për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që kemi të bëjmë me menaxhimin e krizave. 27 vendet e Bashkimit Evropian si dhe SHBA-ja kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim atë duke ecur përpara. Kjo është arsyeja pse shtensionimi i situatës është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni gati për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt”- tha Borrell.

Letra e Borrell drejtuar Kurtit:

Shkëlqesi,

Faleminderit për letrën tuaj të datës 12 qershor, ku përshkruani pesë hapat tuaj për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës me qëllim ecjen përpara drejt normalizimit.

Unë e vlerësoj që në letrën tuaj ju e pranoni nevojën për çtensionimin. Megjithatë, ju nuk adresoni disa elementë kyç që shkaktuan krizën aktuale dhe që duhet të adresohen për të rivendosur qetësinë në veri të Kosovës.

Më lejoni të përsëris elementet për çtensionimin e situatës e përcaktuar nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA, të cilat mbeten të vlefshme dhe që ne ju kemi kërkuar t’i ndiqni:

Si hap i parë, katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë përkohësisht nga vendndodhje të ndryshme nga ndërtesat komunale. Këtë kërkesë tashmë e kanë ndjekur edhe kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit. Besojmë se kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë suaj politike, së shpejti do ta ndjekin shembullin.

Kemi kërkuar edhe ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës. Policia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet. Paralelisht, ne po kërkojmë nga Serbia që të mbështesë tërheqjen e elementëve radikalë nga këto zona. Pas çtensionimit të situatës, ne jemi të gatshëm të diskutojmë më në detaje marrëveshjet e sigurisë me KFOR/EULEX-in në katër komunat, të cilat ju i sugjeroni në pikën tre.

Gjithashtu kërkuam që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe këtë kërkesë ia kemi bërë të qartë presidentit Vuçiç. Sipas legjislacionit të Kosovës, ka mënyra të ndryshme të mundshme për nxitjen e zgjedhjeve të reja, ku më e lehta dhe më e shpejta është në kompetencën e kryetarëve të komunave.

Sa për pikat e tjera që ngrini në letrën tuaj:

Nuk mund të ketë mosndëshkim për dhunën e kryer më 29 maj dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në përputhje me mandatin e tij.

Siç e dini shumë mirë, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe Presidentin Vuçiç me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për çtensionimin fillimisht të situatës dhe më pas për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që kemi të bëjmë me menaxhimin e krizave. 27 vendet e Bashkimit Evropian si dhe SHBA-ja kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim atë duke ecur përpara. Kjo është arsyeja pse shtensionimi i situatës është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni gati për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt.

Sa i përket “planit të renditur”, tashmë keni marrë komente të detajuara nga ne për propozimin tuaj. Të dyja palët kanë marrë së fundmi një projekt-propozim të ri nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, i cili merr parasysh shumë nga sugjerimet tuaja. Ne jemi në pritje të reagimeve nga palët dhe presim që ky propozim të jetë i pranueshëm për të dyja.

Lidhur me vlerësimet e mundshme të përbashkëta të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të ketë ndodhur çtensionimi i situatës. Megjithatë, kjo do të thotë se ju do t’i merrnit plotësisht parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe do t’i trajtoni si partnerë, që do të thotë edhe koordinim paraprak me ta. Me keqardhje konstatojmë se nuk ishte rasti me operacionin e djeshëm në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë.

Unë ju bëj thirrje që të ndërmerrni hapa më të vendosur për të çtensionuar situatën, përgjatë linjave të masave të kërkuara nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët tanë amerikanë. Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, mund të fokusohemi në normalizim, përmes zbatimit të plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit dhe aneksit të zbatimit; puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.

Siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtete anëtare të BE-së, dështimi për të çtensionuar situatën do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet anëtare janë informuar për masat dhe ne do t’i komunikojmë ato publikisht.

I juaji me besnikëri,

Josep Borrell Fontelles

Plani 5 pikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri përfshinte:

Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët

Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës

Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri

Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA