“Shëndeti ynë është i kërcënuar”, aktivistet sulmojnë pikturën e Monet në Stokholm

14/06/2023 20:06

Dy aktiviste të klimës kanë lyer bojë të kuqe xhamin mbrojtës të një pikture të Monet në Muzeun Kombëtar të Stokholmit.

Të revoltuara ato kanë dhënë edhe një mesazh për situatën e klimës në të gjithë botën.

“Shëndeti ynë është i kërcënuar. Kërcënohet vetë baza e shëndetit. Do të vuajmë edhe nga uria. Mungesa e ujit, konfliktet. Do të përkeqësohet sa më shumë të presim”, tha aktivistja.

“Situata është akute, pandemia nuk ishte asgjë në krahasim me kolapsin e klimës. Ne as nuk mund ta imagjinojmë se çfarë po vjen. Sirenat do të tingëllojnë pandërprerë, por askush nuk do t’ia dalë me kohë. Na rrezikohet shëndeti”, u shpreh aktivistja tjetër.

Deri më tani, sipas AFP, përgjegjësinë e këtij veprimi e ka marrë organizata Aterstall Vatmarker. Ndërsa në videon që po bën xhiron e botës, ekspozohen dy të reja, njëra prej tyre infermiere, ndërsa tjetra student e infermierisë.

Drejtuesit e muzeut kanë deklaruar se nuk dihet nëse piktura është dëmtuar, pasi po vijon ekzaminimi i detajuar i veprës së artit.
Vepra artistike e titulluar “Kopshti i Artistit në Giverny” është pikturuar nga impresionisti francez Claude Monet në vitin 1900.

Top Channel