Pengmarrja e tre policëve në veri të Kosovës/ Kurti: Hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviç

14/06/2023 16:06

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas marrjes peng të tre zyrtarëve të policisë kufitare, duke e cilësuar hakmarrje nga ana e Serbisë pas arrestimit të Milun Milenkoviç.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviç – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, shprehet Kurti.

Ai kërkon lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policor dhe dënimin e Serbisë.

“Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë“, thekson Kurti.

Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre policët kufitarë janë marrë gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit.

Sipas një mediaje serbe bëhet fjalë për Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafa Shemin. Ata kanë publikuar foto dhe video ku shihen tre policët të çarmatosur të shtrirë në tokë, ndërsa më pas i marrin me makinat e tyre.

Lexo edhe: Merren peng tre policë pranë kufirit në veri të Kosovës nga forcat speciale serbe

Top Channel