Në kohën kur perëndimi duket më i zhgënjyer se kurrë me Albin Kurtin, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani citoi ish presidentit Ibrahim Rugova në fjalimin e saj historik përpara Parlamentit Europian dhe thënien e famshme të tij “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Osmani përcolli mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur të BE-së, ndërsa bllokun e përkufizoi si destinacionin e patjetërsueshëm të vendit të saj.

“Europa jo vetëm që ia hapi dyert Presidentit Rugova, por i hapi zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë. Kosova është Europë, të jesh kosovar do të thotë të jesh europian”, tha Osmani.

Osmani e përshkroi përgjatë seancës Kosovën si vendin më pro-europian në Ballkanin Perëndimor. Fjalët e saj jehuan në sfondin e njoftimeve për sanksione nga BE-ja, e pakënaqur me lëvizjet e Prishtinës zyrtare, që në Bruksel po interpretohen si mungesë vullneti për shtensionimin e situatës në veri.

“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”, tha Osmani.

Presidentja u bëri më pas thirrje serbëve të Kosovës t`i shfrytëzojnë të drejtat që parashikon Kushtetuta e vendit.

“Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju të jeni të përfshirë dhe të dëgjoheni”, garantoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA