Nations League, Holandë-Kroaci ngre siparin e gjysmëfinaleve

14/06/2023 08:53

Holandë-Kroaci është sfida e parë gjysmëfinale e Nations League në sezonin 2022-2023, sfidë e cila nis në orën 21:00 dhe transmetohet ekskluzivisht në “SuperSport 2”.

“Tulipanët” rikthehen në këtë fazë pas dy edicionesh, pasi në sezonin e parë të Nations League, 2018-2019 Holanda u mund në finale përballë Portugalisë.

Holanda u rendit në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës A, duke lënë pas Belgjikën, Poloninë dhe Uellsin.

Në krahun tjetër, Kroacia debuton në ketë fazë, kjo pasi u pozicionua si forcë e parë në Grupin 1 në Ligën A duke lënë pas përfaqësuese si Danimarka, Franca dhe Austria.

Holanda e nisi vitin 2023 me disfatën 4-0 ndaj Francës në kualifikueset e Euro 2024, por triumfoi ndaj Gjibraltarit 3-0 dhe pse duhet theksuar se disfata ndaj “Gjelave” ishte disi e rëndë për ambientin holandez.

Kroacia, e cila humbjen e fundit e ka regjistruar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022 ndaj Argjentinës, vjen me “humorin” e duhur në këtë përballje.

Kroatët triumfuan ndaj Turqisë në ndeshjen e fundit në transfertë dhe e kanë nisur mirë rrugëtimin drejt Europianit Gjermani 2024 me 4 pikë në dy ndeshjet e para.

Ajo që duhet theksuar është fakti se, Holanda dhe Kroacia ritakohen në një ndeshje zyrtare pas 25 vitesh sepse ndeshja e fundit zyrtare ishte ajo e 11 korrikut 1998 në “finalen e vogël” të Botërorit, Francë 1998, sfidë e cila u mbyll 2-1 në favor të kroatëve.

Më pas, të dyja skuadrat zhvilluan një miqësore në shkurtin e vitit 2008, me Holandën që triumfoi 3-0. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA