Opozita në Kosovë reagoi ashpër pas anulimit të mbledhjes qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e planifikuar të mbahej sot në Gjakovë.

Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi me kryetarët e komunave të zonave kufitare në të dyja vendet. Por kryeministri Edi Rama vendosi të tërhiqej nga takimi për shkak te situatës së acaruar mes Prishtinës dhe bashkësinë euroatlantike, dhe rrëfeu se ka kërkuar një përballje më të ngushtë me kreun e ekzekutivit kosovar Albin Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi, i ra këmbanave të alarmit për situatën në të cilën ndodhet vendi, duke e drejtuar gishtin e fajit nga Kurti.

“Alarmuese! Në kohën kur të gjithë aleatët perëndimorë janë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, ne kemi nevojë për Shqipërinë më shumë se kurrë”, ka shkruar ai.

Për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kosova po hyn në rrugën e izolimit dhe të vetmisë.

“Këtë herë, si asnjëherë më parë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbetemi pa cdo aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”, u shpreh ai.

Abdixhiku la të kuptohet se kursi i përplasjes me Perëndimin rrezikon vetë shtetësinë e Kosovës.

“Në vend që të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, si lider që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor. Kosovës i duhen miqtë. Kosovës i duhen partnerët strategjik”, ishte mesazhi i tij.

Vetë Rama paralajmëroi më herët se kishte kërkuar pak më shumë kohë.

“Por nëse nuk e shfrytëzojmë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do vihet në lëvizje”, tha ai.

Top Channel