SHBA shënon rekord për vrasje me armë. Dhuna më armë në shkolla i ka bërë amerikanët të jetojnë me frikë të vazhdueshme.
Ndërsa dhuna me armë përshkallëzohet vit pas viti dhe bëhet titull kryesor në të gjitha media botërore kjo po ndikon dhe në përditshmërinë e vetë amerikanëve.
Rreth 60% e prindërve janë shprehur në një sondazh të fundit të KFF, një organizatë jofitimprurëse e fokusuar në politikat shëndetësore, se flasin vazhdimisht me fëmijët e tyre para se ti çojnë në shkollë për armët dhe sesi të mbrohen në rast sulmi.
Në ditën e Shën Valentinit pesë vjet më parë, Lori Alhadeff i dërgoi tre fëmijët e saj në shkollë si çdo mëngjes, por në fund të ditës, vetëm dy arritën në shtëpi.
Një adoleshent i armatosur qëlloi dhe vrau 17 persona në një shkollë të mesme në Florida. Mes tyre ishte dhe Alyssa, vajza 14-vjeçare e Alhadeff.
Pas kësaj që i ndodhi ajo porositi çanta shpine antiplumb për dy fëmijët e saj, e vendosur të bënte gjithçka që duhej për të mos humbur një tjetër fëmijë.
“Mjerisht, pyetja nuk është nëse do të ndodhë një tjetër sulm me armë në shkollë, por kur. Kjo është bota në të cilën jetojmë.”, thotë ajo.
Produkti që ka pësuar rritje nga aksesorët e shkollës janë çantat antiplumb që prindërit u blejnë fëmijëve.
“Ndërsa dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara përshkallëzohet, ka pasur një rritje të kërkesës për çanta shpine që janë rezistente ndaj plumbit, veçanërisht pas rritjes së të shtënave masive” thotë Yasir Sheikh, pronar i kompanisë Guard Dog Security, që prodhon artikuj vetëmbrojtës.
“Është e rëndësishme që prindërit të kenë ndjesinë se kanë fuqinë se mund të bëjnë diçka për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre.”- shton ai
Një debat është ndezur së fundmi në SHBA për trajnimet që u bëhen fëmijëve që 5 vjeç sesi të mbrohen në rast sulmi të shtënash me armë në shkollën e tyre.
Në disa shkolla fëmijëve u mësohet se si dhe kur duhet të vendosin barrikada në dyert e klasave dhe ku janë vendet që duhet të vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre në rast sulmi.
Gazetari dhe reporteri Morgan Hook, i vlerësuar me çmime të ndryshme në SHBA, (i nominuar edhe për një çmim Emmy nga Uashington, DC) tha se kur vajza e tij 9-vjeçare u kthye në shtëpi nga shkolla e befasoi kur i tha se stërvitja dhe trajnimi që bëjnë në klasë për tu mbrojtur nga të shtënat nuk është aspak efikas.
“Edhe nëse ne e mbyllim derën e klasën sulmuesi do qëllojë në derë dhe do ta rrëzojë atë. Ne prap nuk shpëtojmë dot” -i kishte thënë e bija e frikësuar.
Hook u përpoq ta qetësonte vajzën duke i thënë, se një gjë e tillë nuk kishte për të ndodhur, por ndërkohë atij iu ndërmend rasti i fundit në një shkollë private në Nashvillë ku i dyshuari bëri pikërisht këtë gjë.
“Ndonjëherë duhet të gënjejmë kur përpiqemi të ngushëllojmë fëmijët që kanë frikë kur mendojnë se mund të sulmohet shkolla e tyre”- tha ai.
Shumë shkolla në SHBA kanë zhvilluar plane sigurie në raste sulmesh me armë. Plani përfshin mbylljen e dyerve të jashtme, ofrimin e trajnimit mjekësor për stafin dhe krijimin e rrugëve dytësore ku nxënësit mund të vrapojnë në rast sulmi. Por pavarësisht planit të shpëtimit sulmet me armë kanë gjithmonë viktima. Kjo sepse në shumicën e rasteve sulmuesi është një prej tyre, që ashtu si dhe nxënësit është trajnuar dhe njeh të gjitha rrugët e shpëtimit.
Top Channel