Si për të treguar se është e vendosur ti tregojë Kosovës kufijtë e durimit të saj, BE-ja ka hedhur hapat e parë drejt zbatimit të sanksioneve ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të asaj që e konsideron si shpërfillje të kërkesave të bllokut për uljen e tensioneve në veri.

Sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Masa të tjera do të lidhen me punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Tashmë është pezulluar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili duhet të ishte mbajtur në 8 qershor, por që nuk u zhvillua.

Është vendosur sakaq të anullohet dhe takimi i radhës i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri. Parashikohen po kështu edhe pasoja financiare për Kosovën. BE-ja do të pezullojë financimin e disa projekteve për të cilat Prishtina kishte dhënë propozimet e saj në kuadër të Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Do të ketë po kështu edhe ulje të pranisë publike të saj në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Burimet diplomatike thonë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehet në nivel normal në momentin që qeveria e Kosovës do të hedhë hapa e pritur nga Bashkimi Europian në kuadër të dialogut, por duke filluar së pari me përmbushjen e kërkesave të tij për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.

Top Channel