Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano pohoi se blloku nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Prishtina zgjedh të mos i përmbushë kërkesat e ndërkombëtarëve.

“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, tha Stano.

Stano shpjegoi se masat e marra ndaj Kosovës nuk janë sanksione apo masa kufizuese në aspektin klasik. Ai e nënvizoi se ato janë të përkohshme dhe i përshkroi si një përgjigje ndaj “dështimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në rajonet veriore.

Masat do të përfshijnë mes të tjerash pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Europian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

I pyetur se përse BE-ja nuk po ndërmerr sakaq masa edhe ndaj Serbisë, e cila “nuk e zbaton marrëveshjen me Kosovën, nxit probleme në Bosnje – Hercegovinë dhe nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë”, Stano këmbënguli që këto çështje të mos përzihen me njëra-tjetrën, duke i mëshuar idesë se në Kosovë ekziston një situatë specifike, me tensione të krijuara si pasojë e zgjedhjeve ku kishte pjesëmarrje të ulët të qytetarëve”, ndërsa u shpreh se Beogradi nga ana e tij ka hedhur disa hapa drejt uljes së tensioneve sic ishte tërheqja e pjesshme e ushtrisë, nga zona në afërsi me territorin e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA