Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk është ligjore e as etike që t’u kërkojë dorëheqjen kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të vendit por zgjidhja është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
“Sa i përket dorëheqjeve, ata nuk janë zgjedhur për tu dorëhequr. Nuk i vjen mirë as vet kryetarëve që ka pas pjesëmarrje kaq të ulët, zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore por unë nuk kam as të drejtë ligjore kushtetuese të kërkoj dorëheqjen e tyre, këtë se bëj dot as nga pikëpamjet e mia etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja, që duhet të jenë ligjore. Osmani ka përmendur një mundësi përmes nënshkrimit të qytetarëve.“- tha Albin Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës foli me tone të ashpra ndaj Prokurorisë e cila sipas tij nuk ka vënë përballë drejtësisë personat e përfshirë në sulmet në veri, edhe pse ka prova.
“Grupet kriminale duhet të largohen sepse ka prej tyre që janë nga Serbia, nuk janë as të Kosovës, ato grupe vijnë në Kosovë për destabilizim. Ata që kanë bërë krime ndaj policisë, gazetarëve e qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë. Nuk e kuptoj Prokurorinë që përkundër provave, denoncimeve me emër e mbiemër, nuk ka veprime nga Prokuroria jonë. Është përsëritje e situatës më barrikadat në vëri. 26 dhe 29 maj, nuk shohim veprime të prokurorisë. Për mua mbetet e pakuptimtë si ka pasivitet prokuroria përkundër krimeve të kryera atje. Një numër i konsiderueshëm i tyre, kanë qenë në burg më herët për rrahje, për kanosje e kështu me radhë.”- shtoi Kurti.
Kurti komentoi edhe njëherë kërkesën e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për tërheqjen e policisë në veri.
“Njësitë speciale janë aty për shkak të ekstremistëve të dhunshëm dhe grupeve kriminale. Në përputhje me vlerësimin e situatës së sigurisë. Hapi i parë duhet të jetë sundimi i ligjit. Nuk hiqet policia pa iku kriminelët. Aksionin e kanë bërë ekstremistë të dhunshëm. Unë jam i gatshëm, të ulem që ta vlerësojmë bashkërisht si ta zvogëlojmë praninë e njësisë speciale në këto komuna. Na duhet që ndërtesat të jenë të sigurta dhe njerëzit të ndihen të sigurtë.”-tha Kurti.
Në konferencën për mediat, Albin Kurti foli edhe për anulimin e stërvitjes së përbashkët Defender Europe 2023.
“Veprimet tona të ligjshme kanë shkaktuar një reagim nga faktori ndërkombëtar sa i përket, bashkëpunimeve që ne kemi, kjo është parë edhe me anulimin e Defender 2023. 1365 kanë marrë pjesë, por nuk mund të zbrapsim Republikën demokratike, dhe mekanizmat e shtetit tonë të pavarur karshi ekstremistëve të dhunshëm. Besoj që masat që janë marrë nuk janë të drejta dhe janë jo profesionale. Sidoqoftë, ne nuk kemi alternative tjetër, BE dhe SHBA marrëdhëniet me to i kemi të shkelqyera, kur vjen puna te ndërmjetësit amerikan dhe evropian që kur vjen puna vijnë te ne edhe me kërkesat e palës tjetër, sigurisht që ka sfida e vështirësi.” u shpreh Kurti.
Top Channel