Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan udhërrëfyesin për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llloyd Austin dhe ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska nënshkruan të hënën në Pentagon dokumentin e njohur si udhërrëfyes që do të thellojë bashkëpunimin në 10 vitet e ardhshme në fushën e mbrojtjes dhe të ushtrive.

Austin e quajti vendin e vogël ballkanik “një mik të madh të Shteteve të Bashkuara”, ndërsa tha se interesat dhe vlerat e përbashkëta “na shtyjnë të ndjekim një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe”.

Jam krenar që po nënshkruajmë udhërrëfyesin midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut. Ky udhërrëfyes shtron rrugën e bashkëpunimit për modernizimin dhe përqendrohet tek bashkëpunimi në fushën e sigurisë për t’u përballur me kërcënimet e sotme globale”, u shpreh zoti Austin.

Ministrja maqedonase theksoi se vendi i saj qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta të sigurisë. “Vitin e Kaluar, Shtetet e Bashkuara na dhanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe që nuk ishte vetëm financiare. Shkëmbyem njohuri dhe përvoja; realizuam stërvitje të përbashkëta dhe jemi krenarë që bashkërisht kontribuojmë për sigurinë e NATO-s në rajon”, tha Ministrja Petrovska.

Sekretari Austin dhe ministrja Petrovska kanë diskutuar mbi gjendjen në Ukrainë dhe agresinin rus; për bashkëpunimin dhe rolin e Maqedojnisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike të NATO-s dhe për sfida të tjera. Lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës, Sekretari Austin ka theksuar mirënjohjet për punën dhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut ndaj popullit të Ukrainës “në këtë kohë të nevojshme”.

Sekretari amerikan, sipas një njoftimit të Pentagonit, bëri të ditur se do të vazhdojë të diskutojë mbi përparësitë e përbashkëta midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut gjatë takimit të nivelit të lartë që pritet të mbahet në muajin korrik në Vilnus të Lituanisë.

Maqedonia e Veriut i ka dërguar Ukrainës një numër tankesh të prodhuara gjatë periudhës sovjetike dhe pajisje të tjera ushtarake.

Ushtria e Maqedonisë së Veriut synon të modernizohet sipas standardeve të Aleancës së NATO-s dhe me mbështetjen amerikane. Deri në fund të vitit 2028 në Shkup pritet të arrijnë 96 automjete të blinduara të ushtrisë amerikane të tipit JLTV (Joint Light Tactical Vehicle)./VOA

Top Channel