JPMorgan mbyll padinë me viktimat e trafikut seksual të Jeffrey Epstein për $290 milionë (fotot)

13/06/2023 16:12

Financierët amerikanë të Morgan Chase (JPM.N) kanë pranuar të paguajnë dëmshpërblim prej $290 milionë për mbylljen e një padie kolektive të ngritur nga viktima të trafikut të pedofilit famëkeq Jeffrey Epstein, mbi akuzat e rolit të bankës në lehtësimin e pagesave për operacionet ilegale të abuzimeve.

Akordi i djeshëm vjen pas zbulimeve të vazhdueshme se grupi financiar JPMorgan nuk kishte marrë parasysh paralajmërimet për aktivitetin abuziv të Epstein me argumentimin se sipas tyre ai ishte “një klient i vlefshëm”, shkruan rrjeti Reuters.

Epstein ka qenë klient i JPMorgan nga viti 1998 deri në 2013 dhe kishte vijuar të ishte edhe pas arrestimit të tij të parë në 2006 për prostitucion dhe trafikim të miturash.

Akordi i bankës më të madhe në SHBA vjen pas akuzave të më shumë se 100 viktimave të trafikimit, me në krye kërcimtaren e nohur si Jane Doe 1, e cila thotë se Epstein dhe miqtë e tij abuzuan me to kur ishin adoleshente.

Epstein raportohet e vrau veten në qelinë e burgut në Manhattan në gusht 2019 teksa priste gjyqin për trafikim njerëzor dhe abuzime të shumta seksuale.

“Ndoshta banka nuk do që të mbetet në vëmendjen e mediave,” tha Carliss Chatman, profesor ligji në Lee University School, në Virginia. “Në këtë kohë amerikanët po hedhin dyshime mbi sistemin bankar, dhe lidhjet e tyre me prostitucionin dhe abuzimet e përmendura, nuk janë të mira për biznesin”, shtoi ai.

Në padi thuhet se ekzekutivët e bankës përmendin me shaka fiksimin e pedofilit Epstein me vajza të reja, megjithëse anëtarë të stafit kishin paralajmëruar për rrezikun e lartë të lidhejve me kriminelin seksual.

Mbyllja e padisë pret dhe miratimin e gjykatësit Jed Rakoff në Manhattan.

FOTO GALERI
2/3
Epstein ka qenë klient i JPMorgan nga viti 1998 deri në 2013 dhe kishte vijuar të ishte edhe pas arrestimit të tij të parë në 2006

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA