Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas anulimit të mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas Berishës, vendimi që kryeministri Edi Rama njoftoi këtë mbrëmje, ishte me porosi të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e ndërhyrjes brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos harrojë se Edi Rama në këtë sherr me qeverinë e Kosovës mbron interesa personale, shkruan Berisha në reagimin e tij.
“Në një akt antikombëtar prej argati të neveritshëm të serbomadhit Vuçiç, i ngërthyer nga skandali McGonigal, Edi Rama i nxirë sterrë me një protagonizëm qesharak idiotesk, njoftoi anulimin e takimit të njoftuar prej kohësh midis dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës si fillimi i sanksioneve ndaj kësaj qeverie.
Ky vendim për anulimin e mbledhjes si hakmarrje për hedhjen poshtë nga qeveria dhe forcat politike të Kosovës të draftit të tij të marrë në sirtaret e Beogradit, dëshmon se çfarë është i gatshëm të bëjë ky njeri për serbomadhin Vuçiç, por dhe lëkurën e tij, pasi është në hetim penal për aferën McGonigal, korruptimin e ish-shefit të kundërinteligjencës së New York-ut në kohën kur ai ishte në detyrë. Shtoj këtu se, javë më parë dosja shqiptare e McGonigal me personazhe kryesorë Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij u bashkua për shkak të lidhjeve me dosjen ruse.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e ndërhyrjes brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos harrojë se Edi Rama në këtë sherr me qeverinë e Kosovës mbron interesa personale dhe se, që nga ardhja e tij në pushtet ai është protagonist kryesor i projekteve të Serbisë së Madhe dhe ndarjes së Kosovës me Aleksandër Vuçiç.
Së fundi ju bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë çdo përpjekje për çtensionimin e situatës dhe rikthimin në agjendën e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e saj si interesi më i mirë i Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkruan deputeti demokrat.
Top Channel