Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është zotuar për avancimin e rolit të grave në vendimmarrje.
Në konferencën e 2-të vjetore të Federatës Ndërkombëtare të Grave për Paqe Botërore që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se ekzekutivi po bënë përpjekje për të rritur edhe më tej pjesëmarrjen e grave në institucioneve të sigurisë.
“Në këtë rrugëtim të popullit tonë gratë dhe vajzat po luajnë një rol gjithnjë e më të madh. Aktualisht ato përbëjnë 14.69 për qind të punonjësve të Policisë së Kosovës, duke përfshirë 1 mijë e 38 në uniformë dhe 286 staf civil. Ndërsa, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, gratë përbëjnë 9.75 për qind të punonjësve, me 401 ushtarake dhe punonjëse civile gjithandej. Mirëpo, qeveria jonë po bënë përpjekje të vazhdueshme për të rritur edhe më tej pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në institucionet e sigurisë. Institucionet e sigurisë janë të sigurta pikërisht me pjesëmarrjen e këtyre grave dhe ato ofrojnë siguri në shoqëri. Në këtë drejtim, një prej objektivave strategjike të Programit në Kosovë për Barazi Gjinore 2020-2024 është avancimi i realizimit të drejtave në vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi”, tha ai.
Kurti shtoi se Kosova është shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor, derisa nënvizoi se s’ka paqe pa gratë.
“Kosova është një histori suksesi e NATO-s jo vetëm në kuptimin afatshkurtër, por edhe kuptimin afatgjatë. Pasi, 24 vjet më vonë tashmë ka arritur të bëhet shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor, madje një shtet që synon t’i bashkohet kësaj aleance e cila ka çliruar një çerek shekulli më parë. Ne nuk ka sesi të mos e mbështesim një konferencë të tillë, kurrë nuk besoj se do të ketë titull më të qëlluar “Nuk ka paqe pa gratë”, pasi pikërisht paqja vjen pas çlirimit dhe pikërisht gratë e dinë rëndësinë e çlirimit nga dominimi, shtypja dhe shfrytëzimi”, shtoi Kurti.
Në anën tjetër, presidentja e Federatës Ndërkombëtare të Grave për Paqe Botërore, Moriko Hori, tha se gratë janë të rëndësishme për sigurinë dhe paqen në rajon.
“Kjo konferencë është një platformë e përshtatshme për ne që të bashkohemi dhe të bisedojmë për rolin e rëndësishëm që e kanë gratë në procesin e paqes dhe sigurinë në Ballkan…Është me rëndësi që sot që të njohim dhe pranojmë për rëndësinë që e kanë gratë për sigurinë dhe paqen në rajon. Gratë kanë qenë agjendë e paqes dhe kanë promovuar dialogun dhe pajtimin”, tha ajo.
Avancim të rolit të gruas në shoqëri kërkuan edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë konferencë./KosovaPress
Top Channel