Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për takimin e sotëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku ka thënë se ka paraqitur vullnet të plotë për ç’tensionimin e situatës në veri të vendit.

Ai ka thënë se gjatë të hënës ka pasur disa biseda telefonike me ndërkombëtarët, dhe se Kosova është e interesuar që të gjendet një zgjidhje për ç’tensionim të situatës.

“Tema e dytë që dua të flas sot është që ditën e fillova me takimin me QUINT folëm për situatën më vend. Propozimin tim që e kam ndarë me Josep Borrell. Dje në orën 12 kam pasur një telefonatë në lidhje me situatën në veri, kurse sot kam pritur ambasadorët e QUINT. Dje kam qenë në komunikim me Miroslav Lajcak dhe në mbrëmje edhe me ambasadorin Hovenier. Me Borrell dhe vendet e QUINT kam shprehur vullnetin për depërshkallëzim dhe normalizim të marrëdhënieve. Duhet të kuptojmë që eskalimi vjen prej bojkotit me direktiva të Beogradit. Janë këta faktorë që janë burim i tensionit. Megjithatë këto unë ua kam ofruar një listë me hapa konkret“, u shpreh Kurti.

Plani i tij parasheh pesë pika që, sipas tij, ndihmojnë në ulje të tensioneve:

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akti kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

Top Channel