​Emërohet shefi i ri i misionit të EULEX-it në Kosovë

13/06/2023 18:45

Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar Giovanni Pietro Barbano shef të ri të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë-EULEX.

Barbano është gjeneral major në Karabinierët Italianë dhe drejtor aktual i Qendrës së Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit në Vicenza, Itali.

Mandati i tij si shef i EULEX-it në Kosovë do të zgjasë nga 26 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025. Vendimi për emërim është marrë nga vendet anëtare të BE-së në Komitetin për Politikë dhe Siguri (KPS).

Barbano është pasardhës i Lars-Gunnar Wigemark.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA