Datat 12 dhe 13 qershor shënojnë festën e Shna Ndout, ku mijëra pelegrinë i drejtohen Kishës së Laçit në shenjë sakrifice, falënderimi dhe lutjeje për një jetë të mbarë, shëndet dhe plotësimin e dëshirave.
“Shëna Ndout të Padovës, në trevat shqiptare, i kushtohen shumë Kisha e Shenjtërore, por dy janë ku kryhet dhe pelegrinazh: në Laç të Shqipërisë dhe në Gjakovë të Kosovës, ku sonte e nesër besimtarë nga të gjitha viset shqiptare kremtojnë dhe ndërojnë shenjtorin”, shkruan Vatican news.
Pelegrinazhi i shenjtë ka filluar në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor, që është dhe festa kulmore. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë nga të gjitha fetë ndezin qirinj në guvat e shkëmbinjve, falen në kishë dhe vende që i konsiderojnë të shenjta aty përreth, sfidojnë fatin duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.
Rituali i shenjtores fillon sapo kalon qytetin e Laçit dhe fillon ngjitjen në mal nëpërmjet disa shkallëve të gjata për ata që zgjedhin ta bëjnë në këmbë rrugën ndërsa është dhe rruga e makinave për ata që zgjedhin ta përshkojnë me makinë.
Top Channel