Teksa i duhet të raportojë ne Bruksel mbi vizitën në Prishtinë e Beograd, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun shprehet se “tensionet janë ende të larta” mes dy vendeve.
Lajçak e pohoi se si ai, ashtu edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar kishin shpresuar për më shumë rezultate gjatë këtyre ndalesave. Qëllimi i udhëtimit të tyre ishte gjetja e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe eksplorimi i mundësive për një rrugëdalje politike.
Të dy i mëshuan idesë për zgjedhje të parakohshme në veri, me pjesëmarrjen e serbëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës dhe kthimin e palëve në tryezën e dialogut me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
“Pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, ku pata rastin të bisedoj me një numër njerëzish nga Europa dhe SHBA, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe Shtetet Anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, tha Lajçak.
Një ditë më parë Escobar nenvizoi se SHBA-ja është e angazhuar që të ndihmojë si Kosovën ashtu edhe Serbinë, në integrimin e tyre në Bashkimin Europian. Escobar foli edhe për marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut në muajin mars të këtij viti. Implementimi i kësaj marrëveshjeje sipas Escobar i hapë rrugë një “marrëdhënie paqësore dhe konstruktive” në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Tani, tha ai, është koha të shtensionohet menjëherë situata dhe ta kthejmë vëmendjen tek Marrëveshja e Ohrit përsëri.
Top Channel