Grupet kriminale në veri të vendit, të cilat mbështeten nga Serbia, duhet të ballafaqohen me drejtësinë, ka deklaruar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në takimin me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Në këtë takim ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në pjesën veriore, Osmani ka shprehur mirënjohje për shërbimin dhe profesionalizmin e ushtarëve italianë të KFOR-it.
“Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë”, është bërë e ditur në komunikatën e Presidencës.
Sipas Osmani, qytetarët në veri janë ata që po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë.
“Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes”, është theksuar në komunikatë.
Presidentja Osmani ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.
Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.
Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar çtensionim të menjëhershëm të situatës në veri si dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja.
Top Channel