Tensionimi i situatës në veri ka lënë në hije zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Fokusimi i bashkësisë ndërkombëtare për depërshkallëzimin e gjendjes në komunat veriore, ka anashkaluar rolin e tyre në zbatimin e ujdisë së Brukselit dhe asaj të Ohrit, thonë njohësit e procesit të dialogut.
Por, në partitë në pushtet fajin ia adresojnë palës serbe, e cila sipas tyre po e saboton marrëveshjen përmes nxitjes së tensioneve në veri nga grupet kriminale atje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja thotë për KosovaPress se është dëshmuar se Serbia nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen e dakorduar me Kosovën. Muja i liston shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë, derisa e fajëson edhe ndërmjetësin e dialogut nga BE-ja, Miroslav Lajçak.
Analisti politik, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress se zhvillimet e fundit në veri ia kanë ndërruar kahjen dialogun Kosovë-Serbi. Ai shton se këtë situatë e ka shfrytëzuar Serbia për të bindur faktorin ndërkombëtar se nuk është koha njëherë për t’u marrë me implementim të marrëveshjes, por qetësim të situatës në teren.
Megjithatë, ai kritikon edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tij, po dëshmon se përmes tensionimit të veriut nuk dëshiron të zbatojë Asociacionin. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për marrëveshjen mes tyre më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër, në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian, raporton KosovaPress.
Në bazë të kësaj ujdie është nënshkruar edhe deklarata për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa palët kanë nisur diskutimet edhe për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mirëpo, bartësit institucional të Kosovës vazhdimisht kanë kritikuar Serbinë për qasje destruktive në dialog dhe moszbatim të marrëveshjes, e cila sipas tyre është dëshmuar me votimin kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropës.
Në anën tjetër, tensionet në veri kanë nisur prej datës 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet e komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës.
Top Channel