Prej dy muajsh, Albion Thaqi i është bashkuar Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Si student i diplomuar i mjekësisë në Anglia Ruskin University në Londër, ka zgjedhur që praktikën në një sistem tjetër shëndetësor ta kryejë në Kosovë, që thotë se ka qenë zgjedhja e tij e parë që në fillim të studimeve.
“E kam vendosur gjithmonë Kosovën, ka qenë gjithmonë i njëjti vendim për mua. Arsyet janë të shumta. Ky është vendi im, kam dashur të jap kontributin tim”, tha studenti i Mjekësisë Albion Thaqi.
I ballafaquar për një kohë me punën në këtë klinikë, Thaqi ka vërejtur edhe mangësitë me të cilat përballen mjekët e pulmologjisë në QKUK.
“Kushtet nuk janë aty ku duhet të jenë, po them nga ana materiale. Mjekët mundohen t’i kryejnë përgjgjeësitë e veta dhe i kryejnë jashtëzakonisht mirë”, u shpreh Thaqi.
Ai shton se Kosova mbetet pjesë e të ardhmes së tij, pa përjashtuar kontributin që mund të japë në sistemin shëndetësor.
“Nuk e dimë saktë se si do jetë ajo dinamika e kthimit tonë në Kosovë, kontributeve tona, nuk është diçka që e anashkalojmë kurrë”, shtoi studenti.
Punën e Thaqit e kanë vlerësuar stafi si shkëmbim përvojash dhe shprehin gatishmërinë të pranojnë edhe studentë të tjerë.
“Janë të mirëseardhur sepse edhe neve na ndihmojnë sepse është shkëmbim përvojash sepse edhe ne nuk e dimë se si është atje”, tha pulmologu Skender Baca.
Klinika e Pulmologjisë në të kaluarën ka punuar në këtë mënyrë vetëm me një studente nga Danimarka.
Top Channel