Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tregoi sërish se nuk tërhiqet për situatën në veri, e për këtë ka telefonuar kryetarin e komunës së Leposaviqit, i cili ka mbetur brenda institucionit prej dy javësh.
“Unë e thirra në telefon dhe bisedova me të. Më ndodhi diçka interesante se për të thënë të drejtën kur e thirra e kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë. Kështu që unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”, tha Kurti.
Lideri i Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar sërish se zgjedhjet në veri mund të bëhen vetëm nëse plotësohen kërkesat e paraqitura nga ai.
Nga ana tjetër i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikën dhe Ekonominë e Evropës Juglindore, është shprehur se Kurti është partneri i tyre edhe pse ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë.
“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, deklaroi Escobar.
SHBA-ja ka kritikuar vazhdimisht qëndrimin e vendosur të Kurtit, e për këtë kanë marrë disa masa duke nisur që nga përjashtimi i stërvitjes “Defender Europe 2023”.
Gjithashtu shpesh herë presioni ndërkombëtar për qetësim të situatës në veri ka kaluar në një shkallë tjetër. Kosova është njoftuar për sanksione të rënda në rast se kryeministri Albin Kurti nuk iu përgjigjet pozitivisht kërkesave të Shteteve të
Mes sanksioneve për Kosovën mund të jetë ngrirja e fondeve të BE-së, SHBA-së e projekteve të shumta, po ashtu edhe e procesit të liberalizimit të vizave e të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Në rast se Kurti vazhdon këmbënguljen e tij në veprimet në veri, Kosova nuk do ndihmohet nga partnerët ndërkombëtarë në “luftën” e saj me fushatën e Serbisë për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës, do ketë riorganizim të prezencës ushtarake e zvogëlim të kontingjentit të KFOR-it amerikan dhe përjashtim nga organizata të caktuara ndërkombëtare.
Njëkohësisht vetë kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i tij i Brendshëm do të mund të shpallen “non grata” nën arsyetimin se paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë.
Top Channel