Ngjarja tragjike në Përmet ku një i ri i sapo kthyer nga Amerika, mbyti nënën e tij, ka sjellë në vëmendje një kategori si ajo e të rinjve që studiojnë jashtë shtetit.

Disa prej tyre duke u përballur më një realitet të ndryshëm dhe duke qenë shumë të ndjeshëm, janë të prirur të zhvillojnë problem të shëndetit mendor.

“Kam trajtuar dhe po trajtoj një numër shumë të madh të rinjsh që janë rikthyer në vend pa i përfunduar studimet jashtë, ose që jetojnë jashtë dhe nga streset e mëdha i drejtohen hashashit ose përdorin Xanax, pra medikamente që ne përdorim për trajtim afatshkurtër. Ata e kalojnë masën dhe krijojnë varësi më pas nga anksiolitikët.

Kryesisht ankohen për pagjumësi, gjendje ankthi, mërzitje e thellë. Kam trajtuar nga ato raste që kanë qëndruar të mbyllur për ditë të tëra në banesë, ku prindërit i telefononin dhe ata nuk përgjigjeshin. Ka patur raste kur ata megjithëse nuk po ia dilnin refuzonin të ktheheshin në Shqipëri, pasi nuk donin të shiheshin si dështakë.

Unë këshilloj që fëmijët duhen monitoruar, jo në kuptimin negative të fjalës, duhet folur me ta, të shkosh t’i vizitosh shpesh, t’i telefonosh, të komunikosh në rrjetet sociale. Mos t’i nisin në mosha të vogla jashtë dhe të shikojnë karakterin e fëmijës. Kjo pasi fëmijët e ndjeshëm janë të prirur të zhvillojnë problem të shëndetit mendor“, deklaroi Valentina Asabella – Mjeke Psikiatre.

Top Channel