Donald Trump përballet me 37 akuza penale, mes së cilave dhe ajo e mbajtjes së paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara dhe konspiracion për të penguar drejtësinë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, sipas dosjeve të gjykatës federale të bëra publike së fundi.
Departamenti i Drejtësisë i publikoi dokumentet e aktpadisë, në njëjtën njëjtën dite kur dhanë dorëheqjen dy nga avokatët e ish presidentit amerikan. Një ndihmës i tij përballet po ashtu me akuza. Padia lidhet me dokumentat e ndjeshme qeveritare që Trump mori me vete në Mar-a-Lago kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021.
Sipas aktakuzës, mes dokumenteve kishte edhe secrete të klasifikuara ushtarake përfshirë informacion mbi programin bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme brenda vendit në rast të një sulmi. Një nga dokumentet fliste për mbështetjen e terrorizmit nga një vend i huaj kundër interesave të SHBA-së. Materialet vinin nga Pentagoni, CIA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera të zbulimit, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Trump i tregoi një personi tjetër një dokument të Departamentit të Mbrojtjes të cilësuar si një “plan sulmi” kundër një vendi tjetër. Po ashtu në aktakuzë thuhet se zoti Trump kishte ndarë me persona të tjerë një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak.
The Guardian shkruan se dosjet u gjetën në disa pjesë të ndryshme të rezidencës së tij përfshirë dhomën e gjumit, tualetin dhe një dhomë pritjeje. Vetë Trumpi vazhdon të deklarohet i pafajshëm.
Top Channel