Zëvendëskryeministri i  Kosovës, Besnik Bislimi nuk e ka mirëpritur draft statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Bislimi arsyeton në një intervistë për Al Jazeera Balkans se Kosova nuk kërkoi ndihmë sa i përket hartimit të një draft statuti për Asociacionin, e rrjedhimisht, nuk ka relevancë propozimi i kryeministrit Rama.

Diskutimet apo negociatat janë mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Këto negociata janë mes kosovarëve dhe serbëve. Nëse përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë nevojë për përkrahjen nga miq dhe ndërkombëtarë…në këtë pikë ne nuk kërkuam që dikush të na ndihmojë për draft statutin. Për këtë arsye, nga përspektiva ligjore ky propozim ka zero relevancë.” – ka deklaruar ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Top Channel