“Çdo ndihmesë konstruktive në bisedimet e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, është e mirëseardhur”, deklaroi zëdhënësi i Bashkimit Europian Petër Stano, i cili shtoi megjithatë se çështja mund të trajtohet vetëm në kuadër të këtyre bisedimeve.
Komentet e Stanos erdhën pasi kryeministri shqiptar Edi Rama, i dorëzoi presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ndërsa vuri në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane.
Stano nuk foli për projektin apo përmbajtjen e tij. Ai sqaroi vetëm se në datat 5 dhe 6 qershor ishte planifikuar të zhvillohej sesioni i parë i hartimit të projekt statusit në nivel ekspertësh dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat që më pare.
“Takimi ishte në plan, por për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, iu desh të shkonte në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua. Bashkimi Europian si ndërmjetësues i bisedimeve është gati të organizojë së shpejti seancën e hartimit të statutit dhe është në kontakt me të dyja palët.“- tha Stano.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters të premten se “Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, Rama ka propozimin e tij për Asociacionin, disa Organizata Joqeveritare kanë propozimin e tyre për Asociacionin, por asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të bëjë propozime. Ai propozim është bërë nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”.
Top Channel