Katër draft-ide ekzistojnë aktualisht për vënien në jetë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi të cilin Prishtina dhe Beogradi u pajtuan 10 vjet më parë.

Komuniteti ndërkombëtar insiston në krijimin e bashkësisë që do të mblidhte rreth vetes komunat në Kosovë, të banuara me shumicë serbe, kushti kryesor i Serbisë në procesin e dialogut me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Qeveria e Kosovës refuzon, me arsyetimin se kompetencat e zgjeruara të Asociacionit do të kërcënonin funksionimin e brendshëm të shtetit.

Edhe pse i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u shpreh më herët se nuk po e kuptonin se çfarë forme Asociacioni kërkon Kosova, kryeministri i saj Albin Kurti e ka prezantuar draft-vizionin e tij, në të cilin nënvizohet neni 7 i Marrëveshjes së arritur në 27 shkurt në Bruksel e më pas në 18 mars në Ohër ku u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj.

Neni në fjalë kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”. Kurti përmend mundësinë e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës dhe kërkon të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të saj, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin territorial.

Edhe pse mund të lejohen financime nga shtete të tjera si Serbia, të gjitha ato duhet të kalojnë përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës. Pas kryeministrit, në 2 maj, në raundin e radhës të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Menaxhues, i përbërë nga katër përfaqësues serbë, paraqiti draft-statutin për themelimin e Asociacionit, i cili u refuzua menjëherë nga Kurti me argumentin se nuk ishte në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës.

Aty parashikohej që Asociacioni të kishte Parlamentin e tij, anëtarët e të cilit zgjidhen nga komunat e përfshira, secila me nga 5 përfaqësues. Po sipas këtij drafti, Asociacioni parashihet të ketë bord prej shtatë anëtarësh, dhe ky bord është organ ekzekutiv, i zgjedhur nga Kuvendi, institucion të cilit i raporton.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, njoftoi se dhe Shqipëria kërkon të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit e për këtë arsye ka hartuar një draft-statut për Asociacionin, i cili i është dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ndërsa është vënë në dijeni dhe pala amerikane.

Në fund të janarit të këtij viti, edhe organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), publikoi një draft-statut ku parashikohej që Asociacioni të kishte Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA