​Gallieni: KFOR do të jetë prezent në veri për sa kohë ka tensione

09/06/2023 14:14

Zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, thotë se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të vendit.

Ai u shpreh se KFOR-i nuk do të marrë kontrollin e veriut por ka theksuar se derisa të ketë tensione, trupat paqeruajtëse do jenë të pranishëm dhe të gatshëm të reagojnë.

Në një konferencë për media, kolonel Gallieni ka folur për situatën në veri të vendit që prej 29 majit kur protestuesit shfaqën dhunë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, duke i lënë të lënduar 30 prej tyre.

“KFOR-i ishte aty për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të protestës dhe më 29 në komunën e Zveçanit ndodhi një protestë e madhe dhe në përpjekje për të ndërhyrë mes palëve ushtarët e KFOR-it u përfshinë në një protestë të dhunshme. Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurë, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë. Ishte e qartë se atje njerëzit po përpiqeshin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që përpiqeshin të sulmonin trupat e KFOR-it”, tha ai.

Gallieni  theksoi se është shumë e rëndësishme të merren parasysh pasojat dhe rreziqet që mund të vinë nga veprimet e palëve. I është pyetur nëse KFOR do të marrë kontrollin e veriut, ai mohoi një fakt të tillë.

“Jo. Nuk është në vullnetin e KFOR-it. KFOR-i e ka rritur praninë në veri për shkak të kësaj proteste, për shkak të kësaj krize, por nuk është objektiv që të jetë prezent në veri të Kosovës, më shumë se që është e nevojshme. KFOR-i është një organizatë ushtarake dhe mund të dislokohet sipas nevojës në terren për të siguruar një mjedis të sigurt. Pra, në këtë moment KFOR-i ka rritur praninë e tij, por kjo varet vetëm nga siguria e situatës dhe situata e paqëndrueshme që mund të përshkallëzohet”.

Sipas tij, nuk ka afat sa i përket periudhës së qëndrimit të KFOR-it në veri, por ka theksuar se do të jenë të pranishëm derisa të ketë tension.

“Nuk ka afat (deri kur do të jenë prezente trupat e KFOR-it), sepse KFOR-i nuk po vepron në bazë të një plani, por po vepron duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë dhe se si po evoluon kriza në rrugë. Pra, derisa të ketë një situatë tensioni e cila mund të përshkallëzohet në çdo moment në një nivel më të lartë të dhunës, KFOR-i do të jetë i pranishëm. KFOR-i nuk është për të mbrojtur njërën apo tjetrën palë, por është aty për të shmangur diçka shumë të rrezikshme”.

Zëdhënësi i KFOR-it tha se dialogu duhet parë si zgjidhja e vetme për situatën e krijuar.

“KFOR-i po vepron në mënyrë të paanshme dhe gjatë kësaj ngjarjeje, ushtarët e KFOR-it ndërhynë në mes të dy palëve, duke shmangur përplasjen e tyre që mund të krijonte një situatë të madhe dhe më të rëndë ku dikush mund të vritet. Është e rëndësishme, është thelbësore që gjithashtu të gjithë të përmbahen nga rrëfimet e kota sepse në këtë moment vetëm dialogu ndërmjet palëve duhet parë si e vetmja rrugë për zgjidhjen e kësaj situate dhe është gjithashtu detyrë e KFOR-it që të sigurojë kushtet për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të ecur përpara dhe për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi në zonë. Shkurtimisht kjo është situata dhe tani veriu duket se po përmirësohet sa i përket sigurisë”.

Ndër të tjera, ai theksoi se komandanti i KFOR-it është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë situatë.

“Çdo gjë mund të përshkallëzohet në një nivel të lartë dhune dhe është shumë, shumë e rëndësishme që të gjitha palët të mos ndërmarrin veprime të njëanshme pa pasur parasysh rrezikun dhe pasojat për veprimet e tyre. Sipas mendimit tonë, të dy vendet duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Ai ka theksuar se KFOR është në gatishmëri të reagojë nëse shfaqen protesta të dhunshme.

“KFOR-i vetëm po e monitoron situatën, njësitë e KFOR-it janë vendosur nëpër komuna dhe janë sërish të gatshëm të reagojnë nëse shfaqen protesta të dhunshme, nëse ka ndonjë kërcënim për situatën e sigurisë. Njësitë e KFOR-it janë të gatshme të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt për popullatën në zonë”.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë. Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Top Channel