Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë tre persona të dyshuar për falsifikim të parasë, pasi të njëjtëve iu janë gjetur 4 mijë e 296 monedha metalike nga 2 euro.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Policia ka konfiskuar paratë e falsifikuara, një automjet dhe katër telefona celularë.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, të mbështetur edhe nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për një periudhë disa mujore, kanë zhvilluar hetime ndaj disa personave nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘falsifikim i parasë’. Pas grumbullimit të dëshmive e fakteve, policia sot ka realizuar një operacion policor, gjatë të cilit ka rezultuar që në flagrancë të arrestohen tre të dyshuarit: E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003), E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2000) dhe L.U., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003). Të dyshuarit janë arrestuar dhe si provë materiale janë konfiskuar: 4296 copë monedha metalike nga 2 €,  (4296X 2=8592 euro), një automjet dhe katër telefona celular”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘falsifikim i parasë’.

Bëhet e ditur se rasti është trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë Themelore në Prishtinë) dhe me aktvendim nga këta të fundit, tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.

Top Channel