Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, befasoi edhe institucionet e Kosovës.

Qeveria nuk ka komentuar draftin e as nëse do ta pranojë atë.

Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari–Lila, u shpreh se Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtar në hartimin e draftit.

“Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”.

Se askush nuk ka kompetencë të hartojë draft të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

I cili shton se mes tjerash edhe menaxhimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët e bën vetëm Qeveria e Kosovës dhe asnjë qeveri tjetër. E në anën tjetër, propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama e kanë mirëpritur Partia Demokratike e Kosovës.

“Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodhë në veri të vendit”.

Shumë të nevojshme përfshirjen e Shqipërisë në shtensionim të situatës në veri e ka cilësuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Diçka që vjen prej shtetit amë, jo domosdoshmërisht duhet të merret edhe me u paragjyku si gjykim i keq. Detyrat e qeverisë janë detyra të vendit, te cilat duhet t’i ushtrojë qeveria, e qeveria jonë nuk po i ushtron.”

Për këtë propozim, ndonëse nuk e ka lexuar ende, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovës, Nicholas Abbot thotë se Kosova duhet të dëgjojë këshillën e Shqipërisë.

“Këto janë kohë të vështira dhe mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë një këshillë që vjen prej miqve dhe partnerëve të saj. Shqipëria është një vend shumë i afërt me Kosovën. Bisedimet mes dy qeverive janë javën që vjen, jam i sigurt që shumë nga këto çështje do të shtrohen në tryezën e bisedimeve”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama propozimin për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ia ka dërguar Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top Channel