Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila ka konfirmuar se kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me qeverinë e Kosovës për draft-statutin e parashtruar nga qeveria shqiptare presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

“Ne skemi si ta shohim për shkak se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë edhe vetë kryeministri Rama, ai nuk është konsultuar me ne.  Mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë të gjithë historinë e këtij procesi dhe natyrisht edhe rëndësinë e rrjedhës përpara bazuar në parime.

Kryeministri Kurti e përmendi edhe në seancë që pret që më tutje të elaborohet në vizionin por edhe parimet e draft-statutit dhe jo në kapërcimin e menjëhershëm, ku çështja e draft-statutit të Asociacionit kthehet në një çështje pazaresh: një version kesh dhe versioni tjetër bazuar në parimet e Republikës së Kosovës dhe të gjitha parimet e tjera për të cilat ka dhënë garancë bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA me Bashkimin Evropian.

Ne nuk duhet të hyjmë në një proces në të cilin duhet të ndryshojmë versione të draft-statutit, për të përfunduar në formatin e një shteti në të cilin jetojnë komunitete të tjera jo shumicë”- tha Kusari-Lila.

E pyetur nëse ka interes qeveria e Kosovës për të parë draft-statutin, Kusari-Lila tha se ata s’kanë nevojë për shpëtimtarë të vetëofruar, por për një draft që do të ketë në fokus drejtimin e shtetit dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë.

Interes qeveria e Kosovës ka që të diskutojë mbi vizionin dhe parimet, ne kemi parë draft-statut megjithëse jo nga Shqipëria. Kemi parë një që u bë nga ekipi menaxhues i mandatit të shkuar.

Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar që të na ofrojë draft-statutin. Ne kemi nevojë për pronësi dhe elaborim të parimeve me në fokus drejtimin e shtetit dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë, me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”- tha Lila.

Lexo edhe:Asocacioni/ Rama zbulon kush e hartoi draftin dhe pse: Kosova, përplasje me ata që hodhën bomba për të lartësuar kombin tim

Top Channel