Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka deklaruar se nuk e ka lexuar ende draft-statutin që qeveria shqiptare i parashtroi Macron dhe Scholz, megjithatë propozimet për shtensionimin e situatës mbeten të mirëpritura.
Për gazetaren e Top Channel Leonita Bajrami, kryediplomati britanik në Kosovë u shpreh i shqetësuar për situatën në Veri, duke shtuar se është i nevojshëm shtensionimi i menjëhershëm i situatës në Kosovë.
Sipas Abbot, njësitë speciale të Kosovës nuk duhet të sillen si roje për ndërtesat komunare kur kanë punë më të rëndësishme për të bërë.
“Draft-statutin e Ramës për Asociacionin nuk kam pasur kohë ta lexojë atë akoma. Ne mbetemi të shqetësuar si gjithë Kosova për zhvillimet në Veri dhe vijojmë në mënyrë të vazhdueshme të kërkojmë për shtensionimin e situatës. Nuk mendojmë se është e nevojshme për kryekomunarët që të punojnë nën mbikqyrjen policore.
Në gjithashtu nuk besojmë se është e nevojshme që njësitë speciale të Kosovës të sillen si roje për ndërtesat komunare. Ata kanë punë më të rëndësishme për të bërë. Kështu që unë shpresoj se në ditët që vijnë do të shohim një ndryshim, propozime dhe më shumë bashkëpunime midis agjensive të sigurisë.
Si ambasador unë aktualisht jam duke folur me shumë njerëz, në përpjekje për të kuptuar se cila është rruga më e mirë për të ecur para”– tha Abbott.
I pyetur nëse është e nevojshme ndihma e Shqipërisë për draft-statutin, ambasadori britanik në Prishtinë tha se në këtë situatë të vështirë është mirë që Kosova të dëgjojë këshillën e Shqipërisë.
“Këto janë kohë të vështira dhe mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë një këshillë që vjen prej miqëve dhe partnerëve të saj. Shqipëria është një vend shumë i afërt me Kosovën.
Bisedimet mes dy qeverive janë javën që vjen. Jam i sigurt që shumë nga këto çështje do të shtrohen në tryezën e bisedimeve. Këshilla ime për qeverinë e Kosovës është t’i dëgjojnë të gjitha këto dhe të gjejnë rrugën e duhur për të ecur para, por një rrugë që tregon mirëkuptim ndaj shqetësimeve të miqëve të tyre”- përfundoi Abbot.
Top Channel