Presioni ndërkombëtar për de-eskalim të situatës në veri ka kaluar në një shkallë tjetër.

Kosova po kërcënohet me sanksione të rënda në rast se kryeministri Albin Kurti nuk iu përgjigjet pozitivisht kërkesave të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për de-eskalim, zgjedhje të reja e kthim në dialog.

Mes sanksioneve për Kosovën mund të jetë ngrirja e fondeve të BE-së, SHBA-së e projekteve të shumta, po ashtu edhe e procesit të liberalizimit të vizave e të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në rast se Kurti vazhdon këmbënguljen e tij në veprimet në veri, Kosova nuk do ndihmohet nga partnerët ndërkombëtarë në “luftën” e saj me fushatën e Serbisë për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës, do ketë riorganizim të prezencës ushtarake e zvogëlim të kontingjentit të KFOR-it amerikan dhe përjashtim nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Shto këtu që edhe vetë kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i tij i Brendshëm do të mund të shpallen “non grata” nën arsyetimin se paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë.

E sipas shefit të ekzekutivit të Kosovës, çështja e veriut nuk zgjidhet me trysni.

“Nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash e ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik edhe ma progresit në Ballkanin Perëndimor”.

Kurti ka shtuar se edhe vetë ka dhënë propozim për shtensionim të situatës në komunat veriore.

“Kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale paralele të Serbisë atje.”

Derisa ndërkombëtarët presin për Kosovën të bëj hapa për depërshkallëzim dhe kthim në dialog, emisarët e SHBA-së dhe BE-së treguan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciç është i gatshëm të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri.

Top Channel