Kurti: Kemi sfida në marrëdhëniet me të dërguarit perëndimorë, por gjërat nuk zgjidhen me trysni!

07/06/2023 19:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi të mërkurën se ka sfida në marrëdhëniet me dy të dërguarit atë amerikan dhe evropian, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, lidhur me situatën në veri të vendit, por nuk la të kuptohet se do të veprojë në bazë të kërkesave të tyre për uljen e tensioneve në zonë.

I kritikuar ashpër nga diplomatët perëndimorë për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri të Kosovës, kryeministri Kurti tha sot se nuk beson që gjërat mund të zgjidhen me trysni.

Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyeshme”, u tha ai gazetarëve gjatë një veprimtarie në Mitrovicë.

Një ditë më parë zoti Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara kanë “disa sfida në marrëdhëniet dypalëshe që kanë të bëjnë me kryeministrin”.

Top Channel