E ftuar në “Wake Up” ka qenë modelja e njohur Xhesika Berberi e cila ndër të tjera ka folur edhe për zhvendosjen e saj në Amerikë.
Ajo u detyrua të largohej nga familja e saj që ishte tepër e lidhur, për të ndjekur ëndrrën në New York. Xhesika tregon se në fillim ka qëndruar në shtëpinë e një shoqeje dhe ka fjetur në një dyshek me ajër, por për të nuk kishte rëndësi, mjaftonte që ishte në New York.
“Në fillim fare kur kam lëvizur në Amerikë kam pasur Fadil Berishën që ka qenë një mbështetje e madhe dhe e falenderoj. Kur jam zhvendosur atje kam qëndruar tek shtëpia e një shoqes sime Iva që është fotografe dhe në fillim fare kam fjetur në një dyshek me ajër dhe një ditë të bukur ajo mbante macen e komshijes dhe e çau dyshekun. Po prapë nuk më interesonte, unë isha në New York, kështu që nuk e bëja dramatike situatën. Është shumë bukur që kthehem mbrapa në kohë edhe kujtoj se si i kam ngjitur shkallët avash avash, kjo më bën shumë krenare”, u shpreh modelja.
E pyetur për marrëdhënien që ka me modelen Angela Martini, Xhesika shprehet se e ka shoqe të ngushtë dhe se është njeriu më i mirë që ajo njeh.
“Ajo është shoqja ime më e mirë në botë, për zemrën që ajo femër ka. Aq e bukur sa është nga jashtë, edhe më e bukur është nga mbrapa. Është një nga ato shoqe që do të të shohë ty shumë lart dhe asnjë herë nuk bëhet as xheloze, as pengesë. Nëse mua më shikon që kam rënë poshtë në moral, ajo më kap dhe më çon shumë lart dhe jam njeriu më me fat që kam një shoqe të tillë dhe e dua shumë fort”, tha Xhesika Berberi.
Top Channel