Kosova të zhvendosë përkohësisht kryetarët e rinj në zyra alternative dhe në veri të jenë kryetarë që kanë legjitimitet, këto ishin kërkesat që paraqitën në Prishtinë e të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së.

Nga Serbia pretendohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

Për Albin Kurtin, nuk është mjaftueshëm. “Rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”, citohet të ketë thënë kryeministri, i cili e ftoi Brukselin dhe Uashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme.

E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore”. Perëndimi nuk është i qartë me kërkesat e tij, e këtë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e pohoi hapur në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”. Kosova, shprehet ai, na tregoi se çfarë nuk dëshiron në lidhje me Asociacionin. Tani është momenti të shpjegoj se çfarë kërkon konkretisht.

“Asociacioni përmendet në Marrëveshjen e Brukselit, Konkluzionet e Këshillit Europian dhe Marrëveshjen e Ohrit. Dhe ka gjithashtu një angazhim të SHBA për këtë. Pra, Bashkësia e Komunave Serbe duhet të bëhet. Pyetja është: si do të duket? Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Sërpska si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. Ne po presim. Kosova duhet të lëvizë shpejt e të na japë një draft-marrëveshje. Sepse Marrëveshja e Ohrit varet shumë nga krijimi i asociacionit të komunave”, u shpreh Escobar.

E dëshiron apo jo Kurti këtë gjë, kjo nuk varet nga ai, sipas zyrtarit të lartë amerikan. “Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky Asociacion do të bëhet. Pyetja është a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”, u shpreh Escobar.

Top Channel