Të dërguarit ndërkombëtar Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë vazhduar qëndrimin e tyre edhe të martën në Kosovë.

Në mëngjes takuan presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, e cila pas takimit përmes një njoftimi tregoi se Kosova do të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtar për ç’tensionim të situatës dhe ka kërkuar hetim për grupet që në veri sulmuan KFOR-in, EULEX-in dhe gazetarët e policinë, ku shtoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat veriore mund të mbahen vetëm në bazë të kornizës kushtetuese e ligjore.

Emisarët e SHBA-së dhe BE-së takuan edhe partitë opozitarë që pas takimit u shprehën të shqetësuar me situatën e krijuar dhe kërkuan reagim nga presidentja e Kosovës.

“Përgjegjësia është tek qeveria dhe tek presidentja. Populli i ka zgjedhur këta njerëz për t’i qeverisur, për t’ja zgjidhur problemet dhe jo për t’i shkaktuar probleme. Fatkeqësisht këto dy vite ne kemi vetëm kriza të shkaktuara nga kryeministri, mbështetur dhe nga presidentja. Është e paarsyeshme që presidentja vazhdon të heshtë”, u shpreh kryetar i PDK, Memli Krasniqi.

“Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj dhe të paqarët për shkak të mungesës së planit dhe gadishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim nga aleatët tanë. Në këtë fazë Kosovës, qytetarëve tanë i mbetet të shohin dhe pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë”, u shpreh Lumir Abdixhiku kryetari i LDK.

Për tensionet në veri dhe kërkesat e serbëve, Lajçak dhe Escobar takuan edhe Listën Serbë por që asgjë nuk u bë e ditur nga ana e palëve.

Misionin për ç’tensionim të situatës emisarët do ta vazhdojnë të martën në Beograd.

 

 

Top Channel