Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili sapo fitoi zgjedhjet për një mandat tjetër, po përballet me sfidën e balancimit të lidhjeve me Rusinë dhe aleatët Perëndimorë.
Qëndrimi i Ankarasë ndaj kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO është një provë kritike dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje do të jetë një tregues i rëndësishëm se nga anon ai. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, analistët mendojnë se zoti Erdogan mund të jetë duke synuar përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Recep Tayyip Erdogan u betua për herë të tretë si President i Turqisë dhe analistët parashikojnë se politika e jashtme pritet të jetë përparësi e tij në kuadër të përpjekjeve për ta shndërruar vendin në fuqi botërore të shekullit të 21.
“Ka të ngjarë që të vazhdojë prirja e një Turqie që nuk rreshtohet vetëm me njërën anë ose tjetrën dhe të jetë pavarur nga ana strategjike. Presidenti Erdogan e sheh Turqinë si një vend që po e rrit ndikimin në çështjet botërore. Ai e ndërtoi gjithë fushatën me këtë ide. Ai thotë se shekulli 21, do të jetë shekulli i Turqisë dhe se Turqia nuk është një anëtarë besnike e komunitetit transatlantik”, thotë Asli Aydintasbas, nga Instituti Brookings në Uashington.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e betimit të zotit Erdogan, bëri përpjekje të bindte Turqinë që të hiqte veton e saj kundër anëtarësimin të Suedisë në NATO, ndërsa udhëheqësit e aleancës pritet të mbajnë takimin e radhës të nivelit të lartë muajin e ardhshëm.
Zoti Stoltenberg tha se Suedia ka ndërmarrë një sërë hapash në kuadër të thirrjeve të Ankarasë për të goditur grupet terroriste që luftojnë kundër qeverisë së Turqisë.
“Një ligj i ri i rëndësishëm kundër terrorizmit hyri në fuqi vetëm pak ditë më parë. Suedia i ka përmbushur detyrimet e saj”, tha ai.
Kundërshtimi i Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë në NATO vjen në një kohë që zoti Erdogan është zotuar të thellojë marrëdhëniet me Moskën. Presidenti rus Vladimir Putin ishte ndër të parët që uroi zotin Erdogan për suksesin e tij të fundit në zgjedhje.
“Është e vërtetë se janë miq të mirë dhe marrëdhëniet mes Turqisë e Rusisë do të forcohen në pesë vitet e ardhshme. Do të thosha se zoti Putin pa dyshim është shumë i lumtur që edhe për pesë vjet të tjera President është miku i tij”, thotë Huseyin Bagci, nga Instituti për Politikë të Jashtme në Ankara.
Presidenti Putin i dha homologut të tij një mbështetje të konsiderueshme financiare gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale, duke shtyrë afatin e pagesave të energjisë në vlerën e miliarda dollarëve, duke mbështetur ekonomike turke, e cila ka pësuar goditje të fortë.
Por analistët mendojnë se zoti Erdogan mund të jetë duke synuar që të forcojë suksesin e tij zgjedhor përmes përmirësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin.
“Me shumë mundësi zoti Erdogan dhe bashkëpunëtorët e tij po përpiqen të rigjallërojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve me qëllim që zoti Erdogan të pritet më mirë në Uashington, D,C, dhe ndoshta edhe një vizitë zyrtare, kjo është ajo që po presin”, thotë Serhat Guvenc nga Universiteti “Kadir Has University”.
Përmirësimi i marrëdhënieve turko-amerikane mund të ndihmojë në lehtësimin e trysnive financiare me të cilën po përballet ekonomia e Turqisë. Por disa analistë thonë se pengesë vazhdon të mbetet mungesa e një marrëdhënieje të afërt mes udhëheqësve të dy vendeve.
“Turqia është dhe do të vazhdojë të mbetet një sfidë për Uashingtonin. Është një marrëdhënie larg së përsosurës. Në fakt, është mjaft jofunksionale. Dhe nis nga lart, nga udhëheqësit, Presidentët Erdogan dhe Biden mezi flasin dhe thuajse nuk takohen”, thotë Asli Aydintasbas, nga Instituti Brookings, Uashington.
Përmirësimi i marrëdhënieve SHBA-Turqi mund të varet nga qëndrimi i Ankarasë për zgjerimin e NATO-s dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, për çka Perëndimi ka shtuar thirrjet, por deri tani zoti Erdogan ka refuzuar që t’u bashkohet masave ndaj Moskës./VOA
Top Channel