Deputetët britanikë kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Sekretari i shtetit, Michael Gove iu përgjigj interesimeve të deputetëve në lidhje me angazhimet e Mbretërisë së Bashkuar për uljen e tensioneve. Gove tha se në veri nuk kishte protestues paqësorë dhe kishin shkuar për të bërë dhunë. Deputetët britanikë kanë kërkuar që shteti i tyre të dënojë edhe Beogradin që, sipas tyre, kërkon destabilizimin e Kosovës.

Mitchell në fjalën e tyre hyrëse deklaroi se situata është qetësuar ditëve të fundit por tensionet mbeten të larta në komunat veriore të Kosovës.

“Rritja e fundit e tensioneve në veri të Kosovës është thellësisht shqetësuese”, deklaroi Mitchell.

Mitchell paralajmëroi se Sekretari i Jashtëm britanik do të takohet me kryeministren serbe Ana Bernabiq në ditët në vijim në përpjekjet për të ecur përpara drejt deeskalimit dhe dialogut mes dy vendeve. Deputetja Alicia Kearns, njëherazi kryetare e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme në Parlamentin britanik, u shpreh se zgjedhjet e 23 prillit janë njohur nga faktori ndërkombëtar dhe shkaktai i pjesëmarrjes së ulët ishte ndikimi i Beogradit.

Sipas saj, kërkesa që kryetarët e zgjedhur të komunave të hyjnë në objekte komunale është e drejtë. Kearns akuzoi Beogradin zyrtar se është mbrapa dhunës së shfaqur ndaj trupave të KFOR-it ndërsa kërkoi llogari pse ndërkombëtarët e ashpërsuan gjuhën vetëm ndaj Kosovës.

“Pamë dhunë të orkestruar në rrugë nga milicitë e financuara dhe të armatosura nga Beogradi kundër KFOR-it dhe policisë. Kishte kokteje molotovi, kundër tyre kishte të shtëna me armë, u vunë zjarrin makinave të policisë. Pra, a mund të pyes, të lutem, mikun tim të nderuar, pse pati një përgjigje kaq joproporcionale dhe të pabalancuar nga aleatët tanë? Është e gabuar që SHBA-ja dhe BE-ja zgjodhën të sulmojnë Kosovën, mirëpo ishin pa kritika ndaj milicive të armatosura që krijuan situatën. Një aleat demokratik (Kosova) vuajti barrën e kësaj situate”– vijoi Kearns, raporton KosovaPress.

Kearns tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të dënojë njerëzit, që ajo i quajti “milicë të financuar nga Beogradi” që shkaktuan dhunë në veri ndërsa po kërcënojnë edhe serbët lokalë. Mitchell iu përgjigj deputetes Kearns se qeveria britanike është duke ushtruar një rol të përgjegjshëm në këtë situatë.

Deputeti laburist David Lammy, pasi tha se situata në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e pasigurt dhe kërkon vëmendjen urgjente të autoriteteve britanike, u shpreh se duhet mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe të sigurohet që respektohen të drejtat e pakicave në të dy vendet.

Sekretari Mitchell pranoi se zgjedhjet e 23 prillit kanë qenë të ligjshme por kryetarëve të zgjedhur iu mungon legjitimiteti për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

Deputeti konservator Matt Vickers deklaroi se pa uljen e tensioneve në veri nuk mund t’i kërkojnë bizneseve britanike që të investojnë në këto vende.

Sekretari Mitchell i kujtoi Kosovës dhe Serbisë cilat janë obligimet e tyre në mënyrë që të ulen tensionet menjëherë.

Deputetja nga Partia Nacionale Skoceze, Philippa Whitford kërkoi hetime për të kuptuar përfshirjen e Beogradit dhe Kremlinit në pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve në veri më 23 prill.

Sekretari Mitchell u shpreh se Britania nuk është duke e barazuar Kosovën dhe Serbinë në këtë rast, duke shtuar se protestuesit që sulmuan KFOR-in nuk ishin paqësorë, por kishin qëllim që të shkaktonin dhunë.

Situata në Zevçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar dhe gazetarët.

Top Channel